“Qikjo ka me dhezë”: Gazetari e përzien portalin me koftorr, redaksia e suspendon

Në një redaksi tipike të Prishtinës, ku zhurma e tastierave përzihet me erën e kafesë turke dhe fjalët “a doli lajmi” jehonin si himn i ditës, një gazetar i ri bëri historinë, për arsyet më të çuditshme. Ai ia doli të “gatuajë” gazetari me një koftorr.

Që aty filloi gjithë zalli: gazetari, duke mos e ndalur dot kreativitetin e tij, vendosi të eksperimentojë me një kombinim të ri: titujt sensacionalë, klikimet e rrjeteve sociale dhe një koftorr që mezi ndizte. “Kjo ka me dhezë si ‘barbecue’ në lagjen Dardania,” deklaroi ai krenar para kolegëve të tij.

Njëri prej tyre, që njihej si “i pari që di t’i gjejë komentet negative në Facebook”, ia ktheu:
– Valla, këto idetë e tua jo që po dhezin, po na djegin neve fytyrën.

Eksperimentimi i gazetarit përfundoi duke ndezur më shumë debate sesa rrjetet sociale, dhe këtu redaktorja vendosi t’i japë fund komedisë. Në një email të brendshëm, që e zbuloi pordhtali, ajo shkroi:
“Qysh e kanë emrin këta që po i thonë ‘kreativitet’? Ky portal nuk është as kuzhinë, as koftorr! Suspendimi i gazetarit do të zgjasë deri sa të kuptojë që titulli dhez me përmbajtje, jo me tym nga gjalpi i djegur”

I përballur me suspendimin, gazetari nuk u dorëzua. Përkundrazi, ai doli me një deklaratë epike, si të ishte zëdhënësi i revolucionit të titujve klikues:
“Pa mua, ky portal kurrë s’kish mu ba viral! Duhet të djegësh diçka që ta ndezësh frymëzimin. Gjithçka është art, dosta”

E derisa po mburrej, një nga kolegët e tij e “mbyti me shembull”.
“Ju kujtohet intervista me atë 100-vjeçarin para tri ditësh? Shikoni videon!”

Në video, gazetari pyet plakun që kishte mbushur 100 vjet:
– Si ndiheni që keni arritur këtë moshë kaq të gjatë?
Plaku, me një buzëqeshje si 20-vjeçar, përgjigjet:
– Fantastikisht! Jam ende plot energji.
Gazetari, i zhgënjyer nga përgjigjja normale, ia kthen:
– Uh… kështu lajmi nuk dhez. A ke ndonjë sëmundje që mund ta përmendim?”

Redaksia shpërtheu, dhe një koleg i tij, tha:
– Vallahi, ky trajnimi yt për “qeverisje lokale” t’ka hy shumë në punë, sidomos për këtë pyetjen e fundit. A të çojmë në kurs për si mos me bo veten horë?”.

Derisa lajmi për suspendimin e gazetarit po bën xhiron e rrjeteve sociale, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ende nuk ka reaguar lidhur me këtë rast. Heshtja e tyre ka ngjallur kureshtje dhe pritshmëri nga kolegët e profesionit, të cilët presin një qëndrim zyrtar mbi këtë situatë që ka ndezur debat për etikën dhe kufijtë e kreativitetit në media.

Lajmi ne pwrditsim …

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*