Site icon Pordhtali

Befason Ramiz Lladrovci në studion e Tikit: Do të konvertohet në slloven

Ramiz Lladrovci, kryetari i Drenasit dhe furnizuesi kryesor i memeve në Kosovë, e ka bërë sërish. Këtë herë, gjatë një paraqitjeje televizive, ai gjoja ka deklaruar një plan epik: të “konvertohet në slloven”, raporton KKK, transmeton Pordhtali.com.

“Pas shumë reflektimesh, kam ardhur në përfundimin se Sllovenia është një vend shumë i zhvillun. Ndoshta është koha që edhe unë të bëhem slloven”, tha ai me plot seriozitet, duke lënë të habitur panelistët, kameramanët dhe gjysmën e popullsisë së Kosovës. Sipas Lladrovcit, ky është një hap strategjik për ta “modernizuar” Drenasin, të cilin, sipas tij, Qeveria Kurti e ka lënë pas dore.

“Pse jo? Ata kanë liqE të pastër, rrugë pa gropa dhe njerëz që pinë kafe të qetë, pa u shqetësuar për ujë apo rrymë. Drenasi mund të mësojë shumë nga ta”, shtoi ai.

Për më tepër, Lladrovci tha se procesi i konvertimit do të ndodhte në Llapushnik, në prani të grupit nga Deçani.

KKK intervistoi qytetarët e Drenasit për të marrë opinionet e tyre. Njëri prej tyre pyeti: “Nëse Lladrovci bëhet slloven, a na vijnë alpet falas te Shkolla e Mesme e Drenasit?” Një tjetër ironizoi: “Mos po mendon që Sllovenia është ndonjë firmë tenderash?”

Një analist politik i mosvarur, në anën tjetër, sugjeroi se Lladrovci ndoshta i referohej ndonjë projekti binjakëzimi me Slloveninë, por shtoi “Me Ramizin, nuk je kurrë i sigurt”.

Lladrovci vazhdoi të sqarojë: “Nuk është se dua të largohem nga Drenasi, por thjesht dua të sjell atë frymën sllovene këtu. Kemi nevojë për pak më shumë si më tha slloveni”.  Gazetari Tiki Sykaltroshi nuk duroi dhe e pyeti: “E keni parasysh që duhet ta mësoni edhe sllovenishten?” Përgjigja legjendare e Lladrovcit: “S’ka problem, e gjej një përkthyes nga komuna. E bitisim”.

Në fund, opozita e ka përshëndetur këtë “hap ambicioz strategjik” të Lladrovcit, por me një dozë thumbi: “Ne shpresonim që të paktën të konvertohej në Llapushnik, në ortodoks, tek At Nikolla Xhufka”. /Pordhtali.com/

Lexo edhe:

Ramiz Lladrovci flet për jetën e tij: Nga Baltmizi te Bruslia

Exit mobile version