Besnik Penisaxha, çerkuzi me tastierë që mban gjallë shpirtin e analistëve të përhumbur

Në një Kosovë ku analistët e vjetër nuk kanë vdekur, thjesht janë bërë pjesë e inventarit të përhershëm të çdo studioje televizive, bashkë me gotën e ujit dhe mikrofonin ekziston një figurë e re që i zbavit e i ngjall, një çerkuz me tastierë të madhe e fjalor të vogël. Ai është Besnik Penisaxha – stand-up komediani accidental i analistëve të konsumuar, kronikani emocional i lëndimeve të vjetra opozitare, shkruan Pordhtali.com.

Besniku nuk është opinionist. As analist. As publicist. Ai është një formulë e çuditshme mes frustrimit dixhital dhe nevojës për vëmendje. Një reaksion kimik që shpërthen sa herë që dikush prej analistëve të dikurshëm ndjen mungesën e RTK-së ose të debateve për liberalizimin e vizave.

Kur s’mund të shajnë vetë, ngaqë duhet ruajtur iluzioni i “ekspertit neutral”  analistët tanë gjejnë shpëtim te Besniku. Ai shan për të gjithë. Me duar që duket sikur kanë shkruar statuse edhe gjatë shembjes së Murit të Berlinit, me gjuhë që të kujton forumet e LDK-së të vitit 2002, kur interneti bëhej me dial-up, por sharjet ishin 4G.

Besniku është si qenushi i oborrit që leh për krejt lagjen  dhe lagjja i hedh bukë. Një qenie folklorike e rrjeteve sociale, që e përkrahin jo për përmbajtjen, por për entuziazmin.

Në orët e para të mëngjesit, kur analistët zgjohen me mendimin “Pse s’më ftuan në debat për veri?”, vjen statusi i Besnikut. I gjatë, pa pikë, me shumë presje të shpërndara si projekte të dështuara, me metafora të lodhura dhe me ndonjë fjali që fillon si mendim politik, por përfundon si fyerje ndaj origjinës së një deputeti.

Për ta, ai status është më shumë se status. Është terapi. Është ritual i përditshëm. Është buzëqeshja që nuk ua ofron më pushteti.

Nëpër kafene, ndodh një skenë e përnatshme analistët lexojnë, qeshin me zë, kthejnë laptopin drejt tjetrit dhe i thonë: “Shiko çka i ka thënë!”. Pastaj japin “like” të koordinuar, sikur janë në ndonjë tryezë të partisë.

Analisti, Fridom Mëhallataj, na tha “Po e di që nuk është ndonjë filozof, por është i yni. Shan për neve. E thotë ashtu siç do të donim ne ta thoshim, po të mos kishim kontratë me ndonjë televizion të afërt me sponsorin”.

Besniku nuk e kupton këtë marrëdhënie. Ai mendon se është i lexuar, i kërkuar për mendimet e tij, dhe shpesh e përsërit me krenari frazën “Faktet flasin për mu”. Po faktet më të zëshme janë “llajkat” nga Bajram Gecaj, Haki Abazi, dhe një pensionist politik që ende kujton vitin 2007 si kulmin e mendimit shqiptar.

Sa herë që merr një “like” nga ndonjë ish-këshilltar, syri i shkëlqen. Poston menjëherë një tjetër status. Më të gjatë. Më emocional.

Sepse dashuria e vetme që njeh ky gaztor i rrjeteve është ajo e analistëve të konsumuar. /Pordhtali.com/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*