Gërvalla: Frymën Rugoviane nuk e përfaqëson Uka, por doktori ynë shpirtëror, Haxhi Avdyli

Në Kosovë sot ka nisur parafushata zgjedhore. Po ashtu, është rikthyer sezoni i ri i telenovelës: “Rugova- Kush e trashëgon?”

Pas lajmit se Uke Rugova është kthyer në LDK për t’u bërë kandidat në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, doli me deklaratë solemne. “LDK po kthehet te rrënjët. Uka është simbol i frymës rugoviane, i urtësisë, i mosngutjes… edhe i asaj qetësisë që ia kemi zili të gjithë”.

Por në anën tjetër të frontit, ra alarmi. Donika Gërvalla u aktivizua. Si zakonisht, me ekip, me kurorë, me fotograf, dhe drejtpërdrejt te varri i Rugovës, vendi ku ajo, sipas vetes, “mer frymë politike”.

Kur u pyet për rikthimin e Ukës, Donika buzëqeshi, mbylli sytë për tre sekonda sikur po instalonte “update Rugova 3.0”, dhe tha:

“Unë sot kam folur me Presidentin. Më tha: ‘Mos u mashtro, Donikë. Uka është djalë i mirë, por fryma ime… quhet Haxhi Avdyli.’”

Pastaj ajo shtoi se “Në kuptimin e vërtetë, jo metaforik. Presidenti flet qartë. E ka pas me emër e mbiemër”.

Pranë varrit të Rugovës, foli edhe doktor Avdyli, i cili u shfaq me një qetësi prej njeriu që vjen për të marrë frymë, jo për t’i kthyer.

“Presidenti më thërret shpesh. Më flet direkt në tru, sikur t’isha pajisje mjekësore e re e QKUK-së. Unë frymën e tij e kam ndjerë gjithmonë. Madje një herë, kur rashë pa sinjal n’kodër të Gërmisë, ai m’u shfaq dhe më tha: ‘Haxhi, mos u tut, receptorin e ke të fortë. Jo si të tjerët që e kanë veç për dekor’.  Sa për ato thashethemet e portaleve, unë ua kam thënë gjithmonë: Unë jam doktor, jo statujë. Në profesion ka pësime, sidomos kur pacientet janë të përkushtuara”.

Në LDK, burime të brendshme thonë se Abdixhiku u mundua të ruajë qetësinë,  qetësi që ndonjëherë duket më shumë si “error 404” sesa strategji. “Edhe mirë, edhe keq, edhe hiç. Uka është frymë, Haxhi është erë. Ne punojmë me klimën”.

Ndërkohë, sipas burimeve të portalit ultra-serioz pordhtali.com, Donika i ka dhënë edhe një goditje finale Abdixhikut: “Lumir, presidenti më ka thënë qysh moti: ‘Frymën time nuk e trashëgon ai që ka mbiemrin, por ai që ka receptorin.’ E receptorin e ka Haxhi Avdyli. Ai kap sinjale prej jetës, prej laboratorit, prej gjithkujt. Si antenë satelitore është”.

Pastaj, në stilin e vet të zjarrtë, Donika tentoi ta qetësonte situatën duke e ndezur edhe më shumë. “Presidenti ka pas dyshime për shumëkënd… Sidomos për Uken. Ka thënë: ‘Mos e merrni për të garantuar, se kur u bo ky, unë isha në ushtri’”./Pordhtali.com/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*