Habemus Albini: Papa i Republikës shpallet nga diaspora në Zvicër

Në një zhvillim të fundit që ka tronditur edhe klerin laik të VV-së, Albin Kurti është shpallur Papa i Ri, jo nga Vatikani, por nga diaspora e shenjtë në Zvicër, me seli shpirtërore në kantonin e Zurichut.

Votat e fundit të ardhura nga aty janë interpretuar si “tymi i bardhë” që u ngjit drejt qiellit të Prishtinës, për të dhënë sinjalin hyjnor:
Habemus Papam-cAlbini i Shenjti, Udhëheqësi i Selisë së Shenjtë të Vetëvendosjes.

Deputeti Mefail Bajqinovci, njohës i thellë i teologjisë progresive të shekullit XXI dhe ithtar i devotshëm i Kurti-anizmit, tha se “Nuk ka nevojë për mrekulli të reja, mrekullia ndodhi në 2021 dhe u ringjall në 2024. E pashë në ëndërr, Albini në të bardha, i rrethuar me dritë, dhe prapa tij Dimal Basha që e mban një tablet si shenjë e Besëlidhjes së Re. Kur u zgjova, s’kisha dyshim, ai është Papa ynë, i popullit dhe i parimeve dhe subvencioneve”.

Mësohet se pas shpalljes, Kurti doli në ballkonin e Kuvendit të Kosovës dhe, me një ton solemn e dorën lart si për bekim, u drejtua masës:

“Bijtë dhe bijat e Republikës,
Pa drejtësi s’ka paqe, pa popull s’ka shtet, dhe pa Vetëvendosje s’ka shpëtim.
Flaka e referendumit është drita që do ndriçojë rrugët tona.
O ju të bekuar në mërgatë, që nuk kursyet as votën, as kartonin e identitetit, ju jeni engjëjt tanë elektoralë.
Nga sot, unë nuk jam më thjesht kryeministër. Jam bariu i shpirtrave tuaj politikë. Jam Papa Albin, rojtar i paprekshëm i sovranitetit, i tarifës 100%, dhe i rendit të ri të drejtësisë e oligarkisë”.

Sipas burimeve të afërta me qeverinë, Dimal Basha pritet të emërohet “Kardinali i Parimeve” dhe do të hartojë një katekizëm të ri politik, ndërsa Lëvizja do të botojë së shpejti “Ungjillin e Vetëvendosjes”, i shkruar në katër zëra (apostuj): Albinin, Albini, Albini dhe Hekuranin. /Pordhtali.com/

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*