Pasi Kryeministri Albin Kurti deklaroi me krenari se qytetarët po e thërrasin “Albin Baba” sepse duan t’ia lënë fëmijët për t’ua rritur ai, Kosova duket se është futur në një epokë të re ku liderët politikë nuk kënaqen më me pushtet politik, ata tani synojnë edhe rolet prindërore, shkruan KKosova, raporton Pordhtali.com.
“Unë kam një përshtypje që, për shkak se ne do të kujdesemi gjithnjë e më shumë për fëmijët, ju po më thoni ‘Albin Baba’ me idenë që unë me ua rrit fëmijët. Edhe pse unë nuk di të gatuaj as një supë, por jam gati të marr këtë sfidë”, tha Kurti, duke lënë të kuptohet se shteti tashmë po merr përgjegjësinë e një prindi.
Opinionistët reaguan menjëherë, disa me entuziazëm, duke shpresuar se qeveria do të ofrojë ushqim dhe edukim falas për fëmijët e tyre, e të tjerë me frikë se kjo mund të përfundojë me ndonjë program të ri të detyrueshëm për rritjen kolektive të fëmijëve, të ngjashëm me eksperimentet socialiste të kohës së Koqi Xoxes, ku gjithçka ishte e përbashkët- përveç tepelekut.
“Nëse dikur “njeriu i ri” duhej të formohej nëpër kooperativa, tani ai po rritet në “përkujdesjen revolucionare” të Albin Babës. Nëse plani vazhdon kështu, shumë shpejt mund të presim edhe ndonjë “Shtëpi të Madhe të Fëmijëve të Republikës”, ku edukimi do të bëhet sipas udhëzimeve të partisë dhe lodrat do të ndahen me pikë si te libreza e kooperativistëve”, mendon komentator i njohur, Tik Neutrali.
Por në anën tjetër të politikës, befasia më e madhe erdhi nga korpulenti Dimal Basha, i cili jo vetëm që dha dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje, por edhe u tërhoq nga lista për deputet. Sipas burimeve KK, arsyeja nuk ka të bëjë me ndonjë mosmarrëveshje politike, përkundrazi, Basha po përgatitet për një rol më të madh: ai po synon të bëhet “Papi privat”.
“Meqenëse Kurti ka vendosur të jetë Baba publik, dikush duhet të mbulojë edhe anën shpirtërore të popullit. Unë jam gati të jem Papi privat i Kosovës”, mësohet të ketë thënë zeshkani Basha.
“Asnjëherë mos i besoni një bebeje me pelenë të ndotur. Por a e dini pse një nënë e mban fëmijën e saj? Se fëmija nuk mund ta mbajë nënën”, mwsohet të ketë folur me disa kodime Dimal Buasha. /Pordhtali.com/