Kryeministri Albin Kurti, duke ndjekur traditën e të gjithë paraardhësve të tij, mbrëmë, më 31 dhjetor, kaloi nga festa e zyrës direkt në Klinikën Gjinekologjike për të takuar fëmijët e parë të vitit 2024. Me një nenqeshje të lehtë dhe disa mendime për politika pro-lindshmërisë, ai takoi nënat e reja dhe dy të porsalindurit, duke premtuar se në Kosovën e tij, biberonat dhe diaperat do të jenë më të subvencionuar se çmimet e energjisë, shkruan Pordhtali.
“Jam këtu për t’ju uruar vitin e ri dhe për t’ju siguruar që këta fëmijë janë një shenjë e ardhmërisë së ndritur të vendit tonë” tha Kurti, ndërsa mbante një bebe të sapolindur, që duket se e kuptoi deklaratën, sepse reagoi me një të qarë. “Mos u shqetëso”, i tha kryeministri, “edhe unë kam qarë kur kam parë draft-buxhetin, sidomos pjesën për fëmijët”.
Pasi doli jashtë, Kurti u kthye përsëri dhe iu afrua babait që po qëndronte pranë zonjës së sapo bërë nënë. Me një buzëqeshje, i pëshpëriti në vesh: “Shpresoj që bëbëja fjalën e parë ta thotë ‘BABA’, jo ‘babi’, se po të thotë ‘babi’, do të kemi më shumë punë me të”.
Vizita nuk kaloi pa momente gazmore. Një infermiere e klinikës i sugjeroi Kurtit të shtonte më shumë investime në maternitet, ndërsa një tjetër e pyeti me shaka nëse Qeveria do të subvenciononte paketat e “New Year’s Baby” për vitin e ardhshëm. Kryeministri, duke mos dashur të humbasë asnjë moment për një batutë, u përgjigj: “Nëse opozita na lejon të kalojmë ligjin dhe nuk e dërgon në kushtetuese, edhe për këtë do të kujdesemi”.
Pas vizitës, Kurti postoi në Facebook një foto me një të porsalindur, duke e quajtur “simbolin e jetës dhe qëndrueshmërisë”. Ndërsa në rrjetet sociale, opozita shfrytëzoi rastin për të kritikuar vizitën, duke e cilësuar si një “imitim të traditave të qeverive të mëparshme”
Kur u pyet për këtë kritikë, kryeministri tha: “Ndryshimi fillon nga fëmijët, dhe kjo është hera e parë që një kryeministër e bën këtë vizitë me kaq seriozitet. Madje, po planifikojmë të quajmë buxhetin e vitit të ardhshëm ‘Buxheti i foshnjave’”.
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se do të miratojë shtesa ekstra për dy fëmijët që janë lindur mes datës 31 dhjetor dhe 1 janar, duke i shpallur ata “fëmijët e vitit.” Për çdo fëmijë të lindur në këtë periudhë, prindërit do të përfitojnë një shumë shtesë prej 5 eurosh, si pjesë e politikave të mbështetjes financiare për familjet e reja. /Pordhtali.com/
Leave a Reply