
Pas viteve të tëra që Kosova eksportonte vetëm mërgimtarë, studentë për gjermanisht dhe qebapa në Londër, më në fund kemi një eksport të kthyer në import, SPAK-un e Shqipërisë, shkruan pordhtali.com
Por mos u gëzoni shpejt! Ky nuk është një SPAK i zakonshëm, i stilit Altin Dumani. Ky SPAK Rugovian s’ta heq prangat, por t’vë shallin n’qafë dhe t’pi një rakicë për t’u reflektuar.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shpalli me solemnitet që “Kosova do ta ndërtojë një SPAK si Shqipëria”, por menjëherë sqaroi se “tek ne, drejtësia nuk do të zbatohet me zhurmë, por me mendim të thellë, lexim të kujdesshëm dhe ndonjë gotë raki te Velanisë se moçme”.
Burimet e Pordhtali.com konfirmojnë se në krye të këtij institucioni nuk do të jetë ndonjë prokuror i ashpër me sy të kuq, por Doarsa Kica Xhelili, me një shall të hollë mbi supe dhe me një fletore “Moleskine” ku do të mbajë shënime estetike mbi korrupsionin, drejtësinë dhe ambientin.
Dënimet sipas modelit rugovian:
Për ryshfet: Dy javë reflektim në Bibliotekën Kombëtare, ku do t’i dëgjosh fjalimet e Rugovës në kufje, ndërkohë që lexon statuse të Bajram Gecajt në Facebook dhe përpiqesh t’i kuptosh ato.
Për keqpërdorim të detyrës: Një seminar i detyrueshëm ku secili pjesëmarrës duhet të shkruajë një poezi kushtuar bukurisë së Avdullah Hotit
Për tenderë të kurdisur: Dënim me bartje shalli në gusht, në autobus urban pa klimë.
Për vjedhje milionëshe nga thesari i shtetit: Dënim me tri net në shtëpinë e kulturës në Istog.
Për uzurpim të pronës publike: Një muaj i detyrueshëm duke dëgjuar fjalimet e Driton Selmanjt në kaseta. Pa stop.
Në SPAK-un e Frymës Rugoviane nuk ka furgonë policie. Të dyshuarit ftohen me letër të parfumuar dhe i përgjigjen thirrjes me kostum e flokët me gell. Marrja në pyetje bëhet në formën e një debati filozofik, ku prokurori fillon me pyetjen “Nëse një pemë bie në pyll, dhe askush nuk e dëgjon, a është e korruptuar?”.
“Ka më shumë se një muaj që Kurti është betuar si deputet, por ende ushtron detyrën e kryeministrit. Kjo është shkelje kushtetuese, morale, shpirtërore dhe horoskopike”, u shpreh Abdixhiku, duke shikuar kah Velanija dhe duke cituar vetveten e para shtate viteve.
Abdixhiku theksoi se SPAK-u i LDK-së do ta ftojë edhe Albin Kurtin për një “bisedë të thellë shpirtërore” në një kolltuk lëkure, ku do t’i kërkohet të shpjegojë si e shkel ligjin, ndërkohë që e thotë me zë të lartë që po e mbron atë.
Analistet e tri TV-te tona e kanë përkrahur ketë propozim, duke konsideruar se drejtësia, sipas këtij modeli, nuk të përplas në burg, por të ul përballë vetes me një gotë në dorë, një faj në zemër dhe një shall në qafë.
“Sepse në fund të ditës… “Korrupsioni s’pastrohet me pranga, por me pak turp dhe dy gllënjka ndërgjegje”, ka thënë Freedom Mehmetaj.
Kështu, Kosova më në fund ka drejtësinë e vet. Jo drejtësinë që arreston, por drejtësinë që të ul në kolltuk, të jep një raki dhe të thotë:
“Mendo pak për çka ke bo… dhe s’ka nevojë me bërtit si une”, shtoi tutje Fridomi.
Duhet thënë se SPAK-u i LDK-së nuk është për t’u ngatërruar me drejtësinë reale. Ai është një projekt pilot për të parë se sa gjatë mund të flitet për luftën kundër korrupsionit pa bërë asnjë veprim konkret. /Pordhtali.com/
Leave a Reply