LETËR NGA NJË DASHNOR POLITIK

I dashur Lumir,
Nuk e di nga ta filloj. Ndoshta nga ajo natë kur të thashë hajvan, ishte moment dobësie, isha i lënduar. Nuk e kam menduar seriozisht. E dini ju si jemi burrat e Prishtinës kur jemi xhelozë…

Që atëherë, s’ka kaluar natë pa të menduar. Kuvendi është bosh, zemra ime po ashtu. Po pres përgjigjen tënde, si dikur kur prisja rezultatet e zgjedhjeve. Por këtë herë, nuk dua fitore, të dua ty.

Të flas drejt, po të kërkoj koalicion, jo për pushtet, por për dashuri të vjetër që s’u konsumua.

Eja, dhe merr me vete:

Ministrinë e Kulturës se për sheshin “George Bush” ka mbet punë pa u sheshu. S’po dihet më a është projekt urban apo skenë abstrakte arti modern. Le të vijë dikush nga LDK që e di çka është sheshi e çka është konkurs i ligjshëm.

Ministrinë e Bujqësisë, se edhe Peci u lodh duke u marrë me fermerë që po i shesin lopët për targa gjermane. Subvencionet s’po din kah po shkojnë, e traktorët po ecin mbrapsht. Ju në LDK, që gjithmonë e keni pas dashni të madhe për tokën, sidomos kur ka qenë në proces privatizimi. ndoshta dini me e korrë më mirë edhe këtë krizë.

Ministrinë e Arsimit që të mësojmë bashkë për gabimet e së kaluarës (si kur ju kam sharë publikisht), dhe të shkruajmë planprogramin e një partneriteti të ri.

Dhe po deshe, edhe Infrastrukturën bashkë më Hysenin, për të ndërtuar më në fund një urë, jo vetëm në fjalime.

E di që je lënduar. E di që zemra jote s’don më koalicion pasdasmash. Por mendoje: koalicionet më të forta lindin nga ndarjet më të hidhura.
Kësaj here, unë nuk po të ftoj për kolltuk, po të ftoj për kapitull të ri.

Unë nuk kam më problem me ty. Jam burrë i ndjeshëm tash. Eja, se nuk po të kërkoj vetëm për votat, po të kërkoj për shpirtin e kësaj Republike.

Më thuaj vetëm një “po”, edhe të hënën fillojmë ta ndreqim edhe Kuvendin, edhe zemrat.

Më thuaj vetëm një po. Se s’mund të shkruaj letrën e katërt. Po dukem si ndonjë djalë që s’ka ku shkon tjetër.

Me sinqeritetin e një lideri të penduar,
Albin, i butësuar dhe i përulur para koalicionit të zemrës. /Pordhtali.com/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*