
Krejt Kosova u lëshu në analiza, kalkulime politike e interpretime kushtetuese… por vetëm një burrë i Drenicës e tha troç, siç vetëm ai di: “Rrushi që nuk arrihet, është i thartë”. Po flasim për askënd tjetër përveç Ramiz Lladrovcit, kryetarin legjendar të Drenasit dhe figurën më memetike të politikës sonë.
Në politikën kosovare, nganjëherë nuk është nevoja të lexosh 120 faqe program qeverisës për ta kuptuar realitetin, mjafton të ndalësh te një postim i Ramiz Lladrovcit. Sepse në një fjali, ai arrin të thotë më shumë se disa parti në një fushatë të tërë.
Kësaj radhe, ndërsa Albin Kurti shkruan letra me ndjenja për Lumir Abdixhikun, një përpjekje e tretë, e ndoshta edhe e fundit për një “koalicion dashurie”, Ramizi reagon si gjithmonë, pa diplomaci, por me filozofi.
Postimi i tij:
Kush po lodhet me letra, kush me kuacione, kush me dashuri politike, ndërkohë unë Ramiz Lladrovci, një qytetar i zakonshëm që rastësisht jam edhe kryetar i Drenasit e kam kuptu moti: rrushi që s’arrihet, është i thartë.
Kjo nuk është fjalë urtë, kjo është manual i politikës kosovare. Se kur dikush s’të don, mundesh me i çu edhe dhurata, edhe letra, edhe ministri veç prapë të sheh si rrush me krimba.
E VV-ja po shkruan letra sikur është në serial turk. Një letër, dy letra, tri… në fund s’ka qeveri, po ka telenovelë.
Andaj zoti Kurti, PDK për ty është rrush i thartë, jo se s’ta japim, po se s’arrin me e kap.
Në fund të ditës, Kushtetuta po e han gurin më shumë se populli. Sepse e kanë kthyer në menu ditor, e lexojnë veç kur iu hahet ndonjë pjatë me pushtet. Një herë kërkojnë zgjedhje, pastaj kërkojnë kuorum, mandej kujtohen që kanë harru opozitën.
Por Ramizi nuk është për këso pazare as PDK. Ramizi është për fjali të qarta, për koalicione të burrave e jo për letra të dashurisë politike.
Kush don me bo koalicion me letrat e dashnisë, le ta dijë se shteti s’ndërtohet as me zarfa, as me zemra të thyera, po me pitpidakë të fortë që s’thyen as kur fryn era prej pushteti!
Ndaj, e përfundoj me një mesazh të thjeshtë, për të gjithë ata që po lodhen me letra e iluzione: Më mirë me mbjellë një kasjsi të re, sesa me u sillë rreth një rrushi që s’mundet me u kap. /Pordhtali.com/
Leave a Reply