
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është parë sot duke marshuar krenarisht drejt veriut të Kosovës, duke menduar se protesta kundër Gjykatës Speciale po mbahej atje.
I shoqëruar nga krejt kabineti i tij, të lyer me gell më shumë se mercenarët serbë me kamuflazh, Rama ka bërë një dalje heroiko-glamorozë nga Komuna me slogane si: “Fontanat kthehen në kazermë” dhe “Gelli është armë ideologjike”.
Një nga këshilltarët e tij, i veshur me një xhaketë me stampë të flamurit kombëtar dhe atlete të markës Patriotik-qka, ka deklaruar për Pordhtali-n se “Ne nuk jemi vetëm kabinet, jemi skuadër operative urbane për mbrojtjen e narrativës kombëtare, me fiksim për ndriçim publik dhe gell për flokë. Jemi gati për gjithçka, përveç pyetjeve nga qytetarët”.
Rama, që gjatë luftës çlirimtare luftoi me sukses në kafenetë e Londrës kundër dizajnit të keq urban, ka marrë masa revolucionare për këtë ditë që të këtë parking falas për protestuesit, autobusë pa pagesë dhe një fontanë që ndriçon Kuq e Zi.
Kabineti i tij, sipas pordhimeve, kishte bërë prova të veçanta të paradës, përfshirë marshimin me shtiklla (për estetikë lufte) dhe hedhjen e gellit në mënyrë sinkronike për kamerat.
Por momenti më dramatik erdhi nga deklarata e Bajram Gecajt, këshilltarit dhe rugovistit të përbetuar që, në një përpjekje të sinqertë u shfaq i pa lyer me gell, por veç me tre shtresa të Nives, tha “Edhe Presidenti Rugova, po të ishte gjallë… nuk do ta kishte problem me këtë protestë. Ne rugovistët jemi gjithmonë me popullin, me paqe, por edhe me uniformë. Gelli nuk është vetëm stil, është qëndrim politik! Apo, Siç thoshte Presidenti ‘Kultura është armë e fuqishme’, por edhe një stil i mirë flokësh i jep besim njeriut para armikut”.
Për fund, zëdhënësi i Komunës konfirmoi se “Kryeqyteti gjithmonë është në mbrojtje të vlerave… Por nëse vlerat ndryshojnë, edhe ne përshtatemi. Flexibiliteti është vlerë. Gelli është simbol i këtij fleksibiliteti”. /Pordhtali.com/
Leave a Reply