Site icon Pordhtali

Përparim Rama niset për rishpalljen e Pavarësisë: merr 8 autobusë të Trafikut Urban, por arrin me vonesë — Albin Kurti e kishte kryer ceremoninë

Në atë që analistët e mëngjesit e quajtën “Renovimi i Pavarësisë- versioni me projekt të përkohshëm”, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u nis drejt Vlorës me 12 autobusë të Trafikut Urban.

Rama, i veshur me kostumin kombëtar sikur po hapte Panairin e Parades se Krenarisë Kombëtare, deklaroi para nisjes se “Ne po shkojmë me e rishpallë Pavarësinë. Historia duhet restauru, jo veç fasadat n’Prishtinë”.

Në krah të tij, Ramiz Lladrovci mbante seriozitetin e zakonshëm të njeriut që ka pa shumë gjëra, por nuk i ka kuptu krejt. Ai sqaroi:

“Po shkoj me pa ku ka mbet Drenica n’histori. Edhe me pa pse s’na ftuan n’1812”.

Kolona u nis nga sheshi “Skënderbeu” me bujë, por shumë shpejt u kuptua se bija e tupanit s’e shtyn autobusin përpjetë.

Në kufirin e Kukësit, disa qytetarë menduan se ishte linja e plazhit për Shëngjin dhe e ndalen.

“Jo bre, s’jemi për plazh. Jemi delegacion shtetëror… komunal… urban… në fakt… jemi diçka ‘me shumë dimensione’”.

Ramizi shtoi me zërin e tij prej moderatorit të odës. “Unë jam për moral. Edhe për byrek. Këtu n’Kukës, byreku o si historia jonë, s’e din kurrë çka ka mrena”.

Në Mirditë, karvani ngeci për dy orë pasi një autobus u shua si projekt i komunës pa buxhet. Përparimi, i emocionuar nga defekti, u deklarua:

“Shikoni, shikoni! Këto ngjyrat e motorrit t’djegur janë fantastike. Kemi me i fut n’projekt të muralit. ‘Udha e Pavarësisë digjitale”.

Ramizi, i lodhur e duke u fshirë me shami të xhepit kuq e zi, citoi Fishtën në stilin e tij të veçantë. “Zotni, kjo punë s’mbaron pa u ba nami. E nami po duket që ka maru nafta, more burrë”.

Pas odise së gjatë, kolona arriti më në fund në Vlorë. Përparimi zbriti sikur po hynte në një audicion për rolin e Isa Boletinit tek Netflix.
Por sapo arritën te shesh, i plasi surprajsi në sy:

Albin Kurti ishte aty.

Ceremonia kishte përfunduar.

Fjalimi kishte mbaruar.

Madje edhe fjalimi i Kurtit që i vjen pas fjalimit ishte kryer.

Dëshmitarët thonë se Kurti po mbante atë që ai e quan “fjalë reflektive të reflektimit post-reflektues”, me të cilën zakonisht mbulon 2–3 orë pa e kuptu askush çka deshi me thënë.

Ai foli me ton të qetë. “Ju falënderoj që erdhët… në kohë relative. Koha është koncept, ndërsa vonesa është realitet… i menaxhimit tuaj”.

Përparimi, i humbur në skenë, tha me zë të ulët që veç kameramani e dëgjoi. “Ne e kishim mendu me LED drita, mo… me ja bo pavarësinë moderne, me ngjyra… po s’na lanë”.

Ramizi, duke e parë se situata po varfërohej emocionalisht, mori fjalën me sinqeritet. “Kryeministër, a ka naj byrek a s’ka? Se neve na ka ra sheqeri n’fund t’gomës”. /Pordhtali.com/

Exit mobile version