Protesta që ia solli Kosovës milionat: Ja sa përfitoi ekonomia e Prishtinës nga mbrojtja e vlerave të UÇK-së

Pas një proteste madhështore, të qetë e dinjitoze, që zgjati rreth tre orë në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe përreth tij, Prishtina më në fund e pa dritën ekonomike. Jo përmes investimeve të huaja, as ndonjë rritjeje të eksportit, por falë protestës së vlerave të luftës.

Sipas analizave që kemi huazuar nga disa prej ekspertëve më të zellshëm të festivalit Soni Hill, Prishtina sot ka përfituar sot minimumi 27.6 milionë euro nga kjo protestë.

Ja si i kemi bërë hesapet:

 Qebaptore “Shabani”

Ka shërbyer rreth 2,000 porcione qebapash (8 copë + jogurt) me çmim mesatar 3.50 euro.
Totali: 7,000 euro fitim neto, pa llogaritë bakshishet patriotike.

Akullore “Elita” te Boro-Ramizi

Me temperaturat 32 gradë Celsius dhe valën emocionale të protestës, janë shitur 1,800 akullore me çmim 1.20 euro.
Totali: 2,160 euro të ngrira, ama me ndikim të nxehtë në ekonomi.

Taksitë (me dhe pa tabela)

Afro 370 taksi kanë bërë së paku nga 5 xhiro për protestues nga pjesë të ndryshme të Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Lipjanit. Çmimi mesatar 5 euro x xhiro.
Totali: 9,250 euro

Shitësit e ujit dhe fanellave “E kam gjakun UÇK”

Së paku 12 shitës mobilë të ujit dhe fanellave, me mesatare shitje prej 80 shishe uji dhe 25 fanella për person.
Totali: 4,800 euro qarkullim që i mbush mushkëritë e ekonomisë me oksigjen rezistence.

Influencerët dhe story-t e patriotizmit

Sipas të dhënave të pa-verifikuara, janë postuar mbi 18,000 story në Instagram, ku secila ka pasur së paku 53 shikime dhe ka bërë që së paku 3 vajza nga diaspora të planifikojnë ardhjen në Kosovë për verën tjetër.
Impakt i pakalkulueshëm për imazhin shtetëror.

Mediat që s’raportuan

Edhe pse shumë media të huaja nuk raportuan për protestën, kjo në fakt i kurseu Kosovës mbi 200,000 euro që zakonisht shkojnë në “sponsorizime të buta” për të futur një link në fund të ndonjë artikulli të tipit “Kosova e Dua Lipës, vendi i bukur që proteston”.

Komuna dhe Qeveria? Ato e kanë dhënë një copë shesh për protestë dhe kjo është gjithçka që i duhej Kosovës për të shpërthyer ekonomikisht.

Pra, me këtë bilanc mbresëlënës, analistët tanë propozojnë që protesta të shndërrohet në festival të përvitshëm. Me një skenë në mes të sheshit, me performanca të rastit nga gjimnazistët e arteve dhe një DJ që vendos këngë të luftës me beat elektronik, efekti në ekonomi mund të trefishohet.

Emra të njohur të analizës kreative si Admir L. (i njohur për krahasimin “Dua Lipa është më e rëndësishme se Pavarësia”), Flakrim Z. (autori i famshëm i tezës “booking.com e shpëton vendin), sot janë zhvendosur në kampin e protestës te shkallet e Tetarit, me po të njëjtën metodologji matematikore.

Në një debat televiziv të improvizuar në “TIKTOK Live”, analisti Flakrim Z, tha se “Protesta e sotme nuk është vetëm reagim politik. Është një katalizator ekonomik. I kam bërë disa përllogaritje në letër pecetë, dhe del që për çdo thirrje ‘UÇK! UÇK!’ janë shpenzuar së paku 1.3 euro në pije freskuese”.

Ndërkohë, analistja Zineqije Muharremi, që zakonisht analizat i bën në formë story-esh 15-sekondëshe, ka thënë: “Nëse Sunny Hill i solli Prishtinës 40 milionë euro në 3 ditë, protesta sot i solli të paktën 12 milionë në 3 orë. Populli s’proteston vetëm me zemër, proteston edhe me bark”, tha zonja qe parapëlqen te quhet Ije.

Edhe gazetari veteran A.B, autor i opinionit viral “Si i rriti Dua Lipa të hyrat e ATK-së”, ka deklaruar shkrut “Më mirë një protestë në Prishtinë sesa një mbledhje e FMN-së në Vjenë. Kjo protestë tregoi se edhe emocionet kombëtare kanë çmim në treg. /Pordhtali.com/

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*