Site icon Pordhtali

Qeveria mburret me suksesin e madh: Dimal Basha është rritur 1 centimetër gjatë qeverisjes sonë

Dimal Basha arrin lartësi të re falë qeverisjes së VV-së – 1 cm më i gjatë. Inflacioni, çmimi i rrymës e Veriu presin radhën për zgjidhje…

Njerëzit e shkurtër nuk janë më pak të aftë apo inteligjentë se ata më të gjatë, por le të jemi të sinqertë, duhet t’i zgjatin duart për t’ia arritur biberit me galluxhder. Një rast i tillë është Dimal Basha, deputeti i VV-së. Shkurtabiak, por korpulent dhe shpesh i famshëm për prononcimet e tij thumbuese dhe gafat gazmore ndaj mediave.

Në një konferencë urgjente për media, Qeveria e Kosovës shpalli një nga arritjet më madhore të mandatit të saj: deputeti Dimal Basha është rritur për një centimetër. Kjo arritje u paraqit me bujë, saqë për një moment u harruan inflacioni, papunësia, çmimi i rrymës, e sidomos situata në veri, raportoi pordhtali.com.

“Ne kemi thënë gjithmonë se jemi qeveri e rritjes. Qe ku e keni provën. Deputeti ynë Dimal Basha është tani një centimetër më i gjatë. Ky është rezultat i politikave tona të mençura dhe përkushtimit për mirëqenie”,  deklaroi një zëdhënës i qeverisë, duke ngritur një vizore si provë të pakontestueshme.

Dimal Basha vetë u shfaq për të konfirmuar këtë sukses historik. “Po, jam rritur. E gjithë kjo falë qeverisë sonë. Dhe për ju, mediat, që dëshironi të bëni fact-checking, këtë herë do t’ju duhen metra të vërteta, jo ato lajkat tuaja të zakonshme” deklaroi ai, duke qeshur me mënyrën e tij të zakonshme.

“Në shkollën fillore gjithmonë isha i pari në radhë. Jo për shkak të ndonjë suksesi të madh, por thjesht sepse isha më afër dyshemesë. Të qenit pranë mësuesit ishte avantazh strategjik: mund të dëgjoja gjithçka dhe, po ashtu, mund të shmangia ndonjë goditje në kokë,” tregoi Dimal me një buzëqeshje plot vetëironi.

“Deri në gjimnaz kam udhëtuar falas në autobusë. Shoferët mendonin se isha ndonjë pjesë e bagazhit të dorës dhe nuk më kërkonin biletë”, shtoi ai. “Madje, edhe me rrobat kam kursyer. Kam veshur pantallonat e fëmijëve për vite me radhë. Ato më përshtateshin më mirë dhe më jepnin një ndjesi rinore. Por kam një ankesë të madhe: përse në butikje, rrobat S dhe XS janë gjithmonë në raftet e larta? Çfarë mendoni, që ne të shkurtërit kemi lindur alpinistë?” përfundoi Dimali, duke shkaktuar të qeshura.

Sipas pordhimeve anonime, ky centimetër magjik është rezultat i një diete të pasur që Dimal ka shijuar gjatë sesioneve të gjata parlamentare. “Të gjithë mendonin se ai ushqehej vetëm meze politike, por jo – Dimal ka konsumuar shumë dhe mirë, natyrisht me buxhet shtetëror,” tha një burim nga Kuvendi.

Opozita, ndërkohë, reagoi me ironi. “E çuditshme si një centimetër te një deputet mund të shpallet sukses kombëtar, ndërsa populli përballet me probleme reale” tha një deputet opozitar.

Por, deputeti qe merret edhe me qeshtje te shëndetësisë, Kamishi, mendon se ka gjetur trokun e rritjes se kolegut. “ E pashe, ne podium para mediave u paraqit ne toplinka. Edhe e vërejta është qe ka pirë viagra, prandaj është rritur 1 cm”, shkriu shkurtimisht ne fb Kamishi.

Megjithatë, për qeverinë, kjo është dëshmi e qartë se “kjo qeveri ngrit gjithçka lart – qoftë ekonominë, qoftë njerëzit e saj”. /Pordhtali.com/

Exit mobile version