Faton Peci tash e dy muaj është ngujuar në kullen e Isa Boletinit dhe duket se është mbushur plot patriotizëm, nga lëvizjet ditore prej flamuri te muri i dhomës, si komandant i vetë historisë.
Thuhet se në një moment ai hodhi kryet në drejtim të frengjisë dhe krejt gratë e Boletinëve mbetën shtang, ashtu si herët moti, kur Tanusha qiste kryet në dritare dhe të gjithë burrat lente eng.
Kur i thanë se është 28 Nëntori, dita e pavarësisë së Shqipërisë, Peci kërkoi ajfonin dhe shkroi vetëm një fjali. “N’këtë trevë kreshnikësh, Isa Boletini e nisi, Albin Kurti e bitisi! Urime 28 Nëntori!”.

Kjo fjali e shkurtër mjaftoi për të zemëruar ata që e dinë historinë fort e mirë. Xhelal Sveçla dhe Sali Zyba, protagonistët e kryesor të çlirimit, u lanë jashtë kujtesës së Pecit.
Peci, i qetë si gjithmonë me këtë “mashtrim të vogël historik”, komentoi me zë të lartë për murin e kullës.
“Në shënimet e mija e kam gjet mbiemrin Kurti… e jo Zyba, as Sveçla. Po këta kanë meritat e tyre për betejat me koktej Molotovi me Radoiçiq e Vuk Hamoviç”.
Pastaj bëri një tur të vogël në kullë, rrotulloi flamurin tre herë, preku murin me gishta dhe u kthye tek ajfoni.
“Eh, tri ditë atdhetar në vit, janë të pamjaftueshme për gjendjen ku jemi”, tha me zë të ulët, por plot autoritet.
Në një moment dikush i tregoi një dokument të vjetër nga koha e Isa Boletinit, të fshehur në fund të librit “Imperializmi si faza më e lartë e kapitalizmit”.
Peci e shfletoi me sy dhe buzëqeshi misteriozisht. “Hmmm… duket se ka një mbiemër që mendoj se mund të jetë Kurtianus… apo ndoshta jo… who knows? Megjithëse mbiemri dukej se ishte i shënuar Ljustaku”, tha Peci me vete, ndërkohë që kishte lënë në qoshen e frëngjisë syzet që i mbante enkas për librat e rrallë.
Kështu, dy muaj në kulle, Peci ka bërë turne të plotë për patriotizëm dhe histori. Çdo ditë flet me murin, bisedon me dokumentet, dhe duket se po planifikon të shkruajë librin e vet tw parë: “Lahuta e Koqetinëve”. /Pordhtali.com/
Lexo edhe:
Peci subvencionon Bajqinovcin me një kope shqiponjash, Kamishi gati për fluturim
Leave a Reply