
Republika është zhytur në një atmosferë zie, jo nga ndonjë tragjedi kombëtare, por nga fakti që disa media nuk po mund të pajtohen me vdekjen e babait të Hashim Thaçit, Haxhisë. Dy ditë nuk kanë mjaftuar, ndërsa tashmë po hyjmë në ditën e tretë të raportimit intensiv, ku çdo frymëmarrje, buzëqeshje e përmbajtur apo teshtimë pranë shtëpisë mortore po analizohet si moment historik.
Mediat e afërta me familjen e ish-presidentit kanë hapur edicione speciale me tituj të fuqishëm si “Edhe fqinjët e lagjes së dytë kanë shprehur ngushëllime”, “Një djalë nga diaspora ka bërë status – ngushëllimi shkon ndërkombëtar”, dhe “Ky është kushëriri i Hashim Thaçit, që u kthye pas 50 vjetësh në vendlindje të ngushëllojë zotin Thaçi”, “Për ngushëllime shkon edhe Valon Syla”, “Kunata e Kadri Veselit shkon bashkë me rënën e Azem Sylës”. “E dhimbshme: qanë Endriti”, etj.
Gazetarët, të palodhur, raportojnë çdo orë për radhët e gjata të vizitorëve, duke bërë top-lista të atyre që kanë ardhur më herët dhe atyre që vonohen, me komente ironike për ata që ende s’kanë bërë postim në Facebook.
Sipas burimeve të pakonfirmuara, disa reporterë tashmë janë duke fjetur në tokë pranë tendës mortore për të siguruar intervista ekskluzive me njerëz që “e kanë njohur nga larg”. Një televizion ka paralajmëruar madje një dokumentar me titullin “Jeta dhe vdekja e Haxhi Thaçit – Një trashëgimi e paharruar”, ku do të përfshihen edhe analiza të ekspertëve mbi mënyrën se si ndodhi kjo vdekje kaq e papritur në moshën 90-vjeçare.
Në rrjetet sociale, qytetarët janë duke pritur momentin kur ndonjë media do të publikojë lajmin bombastik: “Edhe NATO-ja i shpreh ngushëllime Kosovës”.
Në ndërkohë, qytetarët janë të ndarë: një pjesë e tyre ndjekin situatën me kureshtje, ndërsa të tjerët kanë filluar të shqetësohen nëse do të arrijnë të kthehen në lajme të tjera, si për shembull, ndonjë tender i dyshimtë apo ndonjë krizë energjetike. Për momentin, megjithatë, Kosova ka një prioritet të vetëm, të numërojë me përpikëri të gjithë ata që kanë ardhur për kryeshnosh dhe ata që ende s’kanë shkruar status ngushëllimi. /Pordhtali.com/
Leave a Reply